Në fshatin Strigar (it. San Cosmo Albanese), krahina e Kozecës (Kalabri) u nda nga jeta Zef Serembe (Giuseppe), poet lirik arbëresh. Lindi në Strigar të Kozencës (Itali), në vitin 1843. Ndoqi studimet në Kolegjin e Shën Adrianit (Kalabri), ku pati mësues Jeronim de Radën. Në vitin 1883, botoi vëllimin me vjersha në italisht “Poesie italiane e canti originali tradotti dell albanese” (“Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”). Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Thelbin e krijimtarisë së Serembes e përbën revolta si një njeri i thjeshtë i popullit, kundër çdo forme të shtypjes kombëtare apo shoqërore. Kjo përcaktoi edhe karakterin e tij. Pas vdekjes, i nipi, Kozmo Serembe, botoi një pjesë të krijimeve poetike të tij në përmbledhjen “Vjersha” (1926). Serembe lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi në luftë të hapur kundër pushtuesit osman. Poezia e Serembes është një poezi ngjyrash e dritash të forta. Figurat e tij më të dashura janë antitezat, metafora e simbolet. Zef Serembe vijoi traditën e ndikimit nga poezia popullore. (Në fotografi: Zef Serembe)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2317–2318.
Fotografia: © http://www.albanianliterature.net/authors/authors_early/serembe/index.html
Përpunim grafik: AHCF




