Në Shkodër u nda nga jeta Zef Kolombi (1907–1949), piktor, “Piktor i merituar” dhe “Mësues i merituar”. Lindi në Sarajevë, në familjen e shkodranit Gjon Kolombi. Mësimet e para i mori në shkollën fillore në gjimnazin e Shkodrës. U nis për të studiuar për pikturë në Itali, por pasi u end rreth dy vjet midis vështirësive dhe mjerimit të kohës, pa asnjë përkrahje, më në fund u kthye në Sarajevë, ku punoi disa muaj pranë një dekoratori vendës, duke kopjuar vepra të klasikëve. Në vitin 1928 u kthye përsëri në Shkodër dhe, me interesimin e disa të afërmve, që e vlerësonin talentin e tij për pikturë, siguroi bursë për të studiuar në Itali. Më 1929 u regjistrua në Akademinë e Artit në Romë. Gjatë viteve të studimit Zef Kolombi u dallua për përkushtim të veçantë ndaj pikturës. Në vitin 1933, pas përfundimit të studimeve, filloi punën si mësues vizatimi në “Normalen” e Elbasanit. Në vitin 1941 u kthye përfundimisht në Shkodër. Megjithëse vdiq në moshë të re, Zef Kolombi ka lënë disa vepra të bukura, që dallohen nga gjithë krijimet e asaj periudhe në artin shqiptar. Zef Kolombi shquhet në pikturën shqiptare për natyrat e qeta. Zef Kolombi për herë të parë i ka vendosur tablotë e tij në ekspozitën kombëtare të vitit 1942. Më pas ato u paraqitën thuajse në të gjitha ekspozitat, por natyrat e qeta ekspozimin më të bukur dhe më të dukshëm e patën kur u bënë pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, aty ku ndodhen edhe sot. (Në fotografi: Zef Kolombi)
Teksti: Ferid Hudhri
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Zef_Kolombi
Përpunim grafik: AHCF




