Në Nju-York (SHBA) u nda nga jeta Vasil Gërmenji, mësues, gazetar, veprimtar i Ballit Kombëtar dhe diplomat i çështjes shqiptare. Lindi në Manastir, në vitin 1908. Lindi në hotelin “Liria”, në qendrën e Vilajetit të Manastirit, që e kishin hapur i ati, Telemaku me të vëllanë, Themistoklinë. Ngel jetim nga i ati, kur qe gjashtë vjeç dhe e ëma greke e lë të rritet tek ungji i tij. U rrit dhe u edukua në Korçë, ku kreu dhe liceun e qytetit. Studimet e larta për inxhinieri hekurudhash i kreu në Marsejë, në Francë. Atje njohu të shoqen, Germain, ku u martua para se të kthehej në atdhe, më 1934. Me qeverinë e “të rinjve” të Mehdi bej Frashërit, hyn në garë për zyrën e prefektit të Korçës, por mbas dy javësh, i lodhur nga klima morale e kohës, tërhiqet nga politika dhe vazhdon të japë mësim në shkollën teknike. Largohet nga Shqipëria në mars të 1939-s, pak javë para pushtimit italian. U vendos sërish në Marsejë. Pas pushtimit të Francës Jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, që kryesohej nga Francois Mitterand, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të luftës i jepet në shenjë nderimi “Kryqi i meritës” i Klasit I dhe njihet zyrtarisht veteran i Çlirimit Kombëtar të Francës. (Në fotografi: Vasil Gërmenji)
Teksti: Idriz Lamaj
Fotografia: © http://www.radiandradi.com/vasil-germenji-nip-i-themistokli-germenjit-diplomat-i-shquar-ne-kryqezaten-kunder-komunizmit-nga-idriz-lamaj-dielli/
Përpunim grafik: AHCF




