U mbajt “Traktati i Fëslaut” (Vöslau), traktat i fshehtë i lidhur midis Serbisë e Greqisë në Fëslau (afër Vjenës). Traktati parashikonte fillimin e luftës kundër Turqisë, në mbarim të së cilës Serbia do të merrte Bosnjë-Hercegovinën, kurse Greqia Thesalinë dhe Epirin. Në vështrim të luftës kundër Turqisë palët nuk lanë pa përmendur rëndësinë e Shqipërisë dhe rolin e shqiptarëve, pozita e të cilëve konsiderohej si thelbësore për shkak se zinin krahinat që ndanin pjesët greke e serbe të Turqisë evropiane. Veçanërisht në Konventën Ushtarake greko-serbe të 28 shkurtit 1868, që u lidh në vijim e zbatim të traktatit, bëhej fjalë shprehimisht për “kontributin e Shqipërisë” në planet e luftës kundërosmane. Mirëpo në Traktatin e Fëslaut mbizotëronte prirja drejt shtrirjes territoriale, jo vetëm për të bashkuar ato pjesë me popullsi serbe e greke që ndodheshin ende nën zgjedhën turke, por edhe për të përvetësuar toka të të tjerëve, në radhë të parë ato shqiptare. Në bisedimet që i kishin paraprirë lidhjes së traktatit, Serbia kishte kërkuar për vete, veç Kosovës (të ashtuquajturën “Serbi e Vjetër”), edhe Shqipërinë Veriore, ndërsa Greqia, veç Maqedonisë, donte të merrte edhe Epirin ku përfshihej Shqipëria Jugore. (Në fotografi: Pamje e qytetit Vöslau, shekulli XX.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2735.
Fotografia: © https://www.badvoeslau-tourismus.at/ortschronik-bad-voeslau
Përpunim grafik: AHCF




