Në Tiranë u nda nga jeta Theofan Popa, epigrafist, studiues i artit mesjetar. Lindi në Elbasan, në vitin 1913. Studioi në seminarin teologjik në Manastir (1926–1936) dhe më pas ndoqi dy vjet studimet e larta në Athinë po në degën teologjike. Është autor i shumë artikujve studimorë për monumente kulturore mesjetare e sidomos për piktorët Onufri, Kostandin Shpataraku etj. Ka botuar librat: “Piktorët mesjetarë shqiptarë” (1961), “Ikona dhe miniatura mesjetare” (1974), të pajisura me ilustrimet e nevojshme dhe tekst të ngjeshur, me vlera të rëndësishme kërkimore shkencore. Vepra kryesore e tij “Mbishkrime të kishave në Shqipëri” (1998) ka rëndësi dokumentare të shumëfishtë dhe përbën sintezën e veprimtarisë së tij të disa dekadave në gjetjen, grumbullimin, përpunimin dhe sistemimin e mbishkrimeve kishtare të Shqipërisë. Në vitin 2006 u botua dhe vepra tjetër e tij “Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, shekujt VI–XIV”. (Në fotografi: Theofan Popa)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2065.
Fotografia: © https://adsh.al/s/elbasani/item/12012
Përpunim grafik: AHCF




