Në Sarajevë (Bosnjë-Hercegovinë) lindi Robert Shvarc, përkthyes. Më 1938 familja (i ati hebre, e ëma shqiptare) u shpërngul në Shkodër e pastaj në Tiranë. Në rini botoi tregime dhe poezi. U mor kryesisht me përkthime letrare, duke sjellë në shqip disa nga kolosët e letërsisë botërore, si Johan V. Gëte, Heinrich Hajne, Bertolt Breht, Stefan Cvajg, Gabriel Markes e të tjerë. Përktheu gjermanisht vepra të autorëve më në zë të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Arapi etj. Përkthimet e Robert Shvarcit shquhen për një gjuhë të saktë e të pasur dhe për gjallëri në dhënien e dialogëve. Është nderuar me dekoratën gjermane “Kryqi i Meritës” dhe me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. U nda nga jeta në vitin 2003. (Në fotografi: Robert Shvarc)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2648–2649.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/lajme/mbremje-perkujtimore-ne-nder-te-robert-shvarc/
Përpunim grafik: AHCF




