Ramadan Sokoli

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nda nga jeta Ramadan Sokoli, studiues i etnomuzikologjisë dhe i etnoorganologjisë, kompozitor, profesor. Lindi në Shkodër, në vitin 1920. Në vendlindje kreu gjimnazin e shtetit. Ndoqi studimet e larta për flaut e kompozicion, në Firence. Në vitet 1946–1953 punoi në detyra të ndryshme në fushën e kulturës e të muzikës; prej vitit 1953 ka qenë pedagog në liceun artistik “Jordan Misja”, ku themeloi klasën e flautit, klasën e folklorit dhe kabinetin e instrumenteve popullore, që u bënë bazat e etnomuzikologjisë shqiptare. Kreu shumë ekspedita dhe mblodhi material të pasur burimor folklorik. Në vitin 1957 mori pjesë në ekspeditën komplekse me studiuesit gjermanë Doris e Errik Shtokman dhe Vilfrid Fidler; në vitin 1958 drejtoi ekspeditën shqiptaro-rumune. Ramadan Sokoli ka botuar një varg veprash nga fusha e etnomuzikologjisë dhe muzikologjisë, si: “Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, 1958 (“Vallet popullore dhe instrumentet muzikore të popullit shqiptar”); “Chansons populaires albanaises”, 1966 (“Këngët popullore shqiptare”); “Figura të ndritura: Jan Kukuzeli dhe Andrea Aleksi”, 1965; “Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia)”, 1965; “Vallet dhe muzika e të parëve tanë” (1971); “Folklori muzikor shqiptar (Organografia)”, 1975 (ribotuar më 1984, 1987, 1991); “Figura e Skënderbeut në muzikë” (1978); “Gjurmime folklorike” (1982); “Këngë patriotike” (1985); “Veglat muzikore të popullit shqiptar” (bashkautor) (1991). Ramadan Sokoli ka gjurmuar figurat e artit e të kulturës shqiptare në shekuj dhe ka botuar librat “16 shekuj” (1995), “Gojëdhënat e botës shqiptare” (2000). Ka botuar rregullisht artikuj nga fushat e tij të studimeve muzikore dhe nga fusha të tjera të artit e të kulturës kombëtare. Ramadan Sokoli ka kompozuar vepra muzikore vokale-instrumentale e simfonike, e sidomos mjaft këngë që janë bërë popullore. Ka marrë çmimin “Oskari Botëror i Folklorit” nga IUFA (International Union of Folklore Associations); është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. (Në fotografi: Ramadan Sokoli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2369–2370.

Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/ramadan-sokoli/biografia

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img