Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve (1920–1945), organizatë ndërkombëtare e krijuar nga fuqitë fituese të Luftës I Botërore me qëllimin e shpallur për të siguruar paqen dhe bashkëpunimin midis shteteve. Në të u përfshinë 44 shtete të botës. Selia e saj u vendos në Gjenevë (Zvicër). Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës i drejtoi një kërkesë Lidhjes së Kombeve në vjeshtë 1920 për pranimin e Shqipërisë si anëtare të saj. Pasi u kapërcye kundërshtimi i Italisë dhe i shteteve fqinje ballkanike, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve në vitin 1920. Kjo e forcoi pozitën ndërkombëtare të shtetit shqiptar të rimëkëmbur. Pranimi ishte një njohje e gjendjes së krijuar në Shqipëri nga lufta çlirimtare e popullit shqiptar që iu kundërvu zbatimit të Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, si edhe planeve për copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare në Konferencën e Paqes, më 1919–1920. Iluzionet që kishin mjaft patriotë për Lidhjen e Kombeve, ndër ta edhe Fan Noli, nuk u vërtetuan. Në mjaft raste Lidhja e Kombeve kaloi në heshtje ndërhyrjet e ndryshme të fuqive të huaja në punët e brendshme të Shqipërisë. Në kundërshtim me statusin e saj, Lidhja e Kombeve nuk përfilli ankesën e qeverisë së Fan Nolit lidhur me ndërhyrjen e trupave jugosllave në dhjetor 1924. Shkeljen më të rëndë ajo e kreu në prill 1939, kur nuk ndërmori asnjë aksion kundër dhe nuk dënoi agresionin e Italisë kundër Shqipërisë. Lidhja e Kombeve mbaroi së vepruari në fakt me fillimin e Luftës II Botërore, kurse formalisht u shpërnda në mbarim të saj. (Në fotografi: Fan Noli duke hyrë në selinë e Lidhjes së Kombeve, Gjenevë 1924.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1509.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




