Në Boston (SHBA) u nda nga jeta Pandi Mele, piktor e grafist shqiptar i shekujve XX–XXI, “Piktor i merituar”. Lindi në Hoçisht të Korçës, në vitin 1939. Artisti Pandi Mele kreu liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë; i përfundoi studimet për grafikë në Akademinë e Arteve “Repin” në Leningrad (Rusi, 1959–1961) dhe diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1964). Punoi modelues grafike dhe përgjegjës redaksie në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. Pedagog, si dhe përgjegjës i ateliesë së grafikës në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1975–1994). Artisti Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare, si cikli “Motive Migjeniane” (1964), serinë grafike “Shtypi i partisë” (1984) dhe cikli “Rozafa” (1999, studio e artistit). Pandi Mele ndikoi dukshëm me veprën e tij në realizimin e një grafike bashkëkohore, si në teknikë, ashtu edhe në konceptimin e saj. Mele ka realizuar postera, emblema, pulla postare dhe ilustrime të ndryshme. Mele ka hyrë në enciklopedinë “The Grove dictionary of art”, 2000, Macmillan Publishers Limited, New York. (Në fotografi: Vepra e Meles me titull “Novatorët”, 1980, vaj mbi kanavacë.)
Teksti: https://www.galeriakombetare.gov.al/koleksioni/pandi-mele.shtml
Fotografia: © Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




