U nda nga jeta Mikel Markiano (it. Michele Marchiano), historian i letërsisë, folklorist e përkthyes arbëresh. Lindi në fshatin Maqi (it. Macchia Albanese) të krahinës së Kozencës (Kalabri), në vitin 1860. Ndihmesën më të madhe e dha në fushën e historisë së letërsisë. Në veprën “Le colonie albanesi d’Italia e la loro letteratura”, Romë, 1913 (“Kolonitë arbëreshe të Italisë dhe letërsia e tyre”), Mikel Markiano vuri në dukje veçoritë origjinale të letërsisë arbëreshe që nga fillimet e saj dhe zbuloi disa individualitete krijuese. Studimi i tij “L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada”, Trani, 1902 (“Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës”) është e para monografi e plotë për Jeronim de Radën, ku Mikel Markiano zbuloi rëndësinë e poezisë së Jeronim de Radës, frymën e thellë atdhetare dhe vlerat e saj estetike. Mikel Markiano mblodhi dhe botoi shumë këngë popullore arbëreshe në veprat: “La rondinella, Carme nuziale albanese, inedito” Foxha, 1906 (“Dallëndyshja, Këngë dasme arbëreshe e pabotuar”), “Canti popolari albanesi delle colonie d’Italia”, Foxha, 1908, (“Këngë popullore arbëreshe të kolonive të Italisë”); “Canti popolari albanesi della Capitanata e del Molise”, Martina-Franka, 1912 “Këngë arbëreshe të Kapitanatës dhe të Molizes”). Botoi gjithashtu përmbledhjen e parë të folklorit arbëresh të zbuluar prej tij (Dorëshkrimi i Kieutit), si edhe veprën “Poesie sacre albanesi”, Napoli, 1908 (“Vjersha fetare arbëreshe”). (Në fotografi: Mikel Markiano)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1631.
Fotografia: © https://www.facebook.com/kultpluscom/photos/a.650793081598651/6147387001939204/?locale=hi_IN
Përpunim grafik: AHCF




