U zhvillua “Lufta e Gëziqit”, beteja kryesore për thyerjen e kundërgoditjeve gjermane gjatë mësymjes së Divizionit II Sulmues për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Nga forcat gjermane mori pjesë një regjiment i Divizionit 181, prej rreth 3000 vetash, i përforcuar me artileri e mjete të blinduara. Nga 21–25 tetor 1944 gjermanët sulmuan disa herë me qëllim që të shpërthenin mbrojtjen e Gëziqit, për të rimarrë Shpalin e Mirditës. Forcat partizane gjatë natës së 25–26 tetorit kundërsulmuan në një front prej 2–3 km. Gjermanët u tërhoqën duke lënë mjaft të vrarë, të plagosur dhe 50 robër. U zunë rob edhe 100 xhandarë, si dhe një sasi e madhe materialesh e teknikë luftarake. Nga forcat partizane ranë dëshmorë 12 partizanë dhe u plagosën 35 të tjerë. Fitorja në lufta e Gëziqit shënoi çlirimin e krejt Mirditës. (Në fotografi: Pamje nga Mirdita.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1548.
Fotografia: © https://www.zgjohushqiptar.info/2019/05/mirdita-shtegtim-ne-token-e-pirusteve-video.html
Përpunim grafik: AHCF




