Beteja për Shkodrën

Lexo ngjarje:

U zhvillua “Beteja për Shkodrën”, qëndresa e forcave osmane dhe shqiptare ndaj veprimeve të forcave ushtarake të Malit të Zi e të Serbisë për pushtimin e Shkodrës. Duke e mbajtur Shkodrën të rrethuar edhe pas Shpalljes së Pavarësisë dhe caktimit të kufijve të Shqipërisë, mbreti i Malit të Zi, Nikolla I synonte të aneksonte së bashku me këtë qytet të rëndësishëm gjithë Shqipërinë Veriore. Për afro gjashtë muaj shqiptarët dhe garnizoni osman i Shkodrës përballuan rrethimin dhe sulmet e ushtrive malazeze serbe. Me gjithë epërsinë e armikut në forca ushtarake dhe material luftarak, mbrojtësit e Shkodrës u bënë ballë me sukses ushtrive armike. Në rrethanat e reja që u krijuan me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, komandanti i forcave osmane në Shkodër Hasan Riza Pasha hyri në bisedime me komitetin e qytetarëve shkodranë për të vijuar luftën nën flamurin shqiptar. Nisma e tij u minua nga oficerët xhonturq dhe elementët turkomanë e tradhtarë vendës, të kryesuar nga Esat Toptani. Pas kësaj Esat pashë Toptani shtiu në dorë komandën e garnizonit. Ai nuk e njohu Shpalljen e Pavarësisë, nuk iu përgjigj thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe të një grupi patriotësh për të ngritur flamurin shqiptar në kalanë e Shkodrës dhe për të shpallur kështu bashkimin e saj me qeverinë e Vlorës. Ndërkohë vijuan luftimet e përgjakshme në të gjitha frontet: në malin e Taraboshit, në kodrat e Beltonjës, të Bërdicës dhe të Bardhanjorëve. Në këto luftime ushtritë malazeze-serbe lanë afro 18 mijë të vrarë, ndërsa forcat mbrojtëse mbi 2000 të vrarë dhe mbi 2500 të plagosur, pa llogaritur civilët që vdiqën nga uria, bombardimet e sëmundjet. Forcat malazeze mundën të hyjnë në qytet vetëm pas tradhtisë së Esat Toptanit, më 22 prill 1913. Ai shpalli kapitullimin e ua dorëzoi malazezëve Shkodrën në rrethana që nuk mund ta përligjin këtë veprim, kur mbrojtësit e qytetit ishin të vendosur ta vazhdonin qëndresën dhe kur flota e Fuqive të Mëdha kishte arritur në brigjet e Adriatikut për t’i detyruar autoritetet malazeze që të hiqnin rrethimin e qytetit. Ky akt, që u përjetua si tradhti kombëtare, pati pasoja negative në procesin e përcaktimit të kufirit në pjesën verilindore të trojeve shqiptare. (Në fotografi: Flamujt e Fuqive të Mëdha në kalanë e Shkodrës.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 233.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Rrethimi_i_Shkodr%C3%ABs_%281912-13%29

Përpunim grafik: AHF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img