Lorenc Antoni

Lexo ngjarje:

Në Prishtinë (Kosovë) u nda nga jeta Lorenc Antoni, kompozitor, etnomuzikolog, pedagog dhe drejtues kori. Lindi në Shkup (Maqedonia e Veriut), në vitin 1909. Në vendlindje mori njohuritë themelore muzikore dhe i vazhdoi më tej privatisht në Beograd. Më 1941 erdhi në Kosovë, duke u vendosur në Prizren, ku drejtoi korin e shoqërisë kulturore-artistike “Agimi”, me të cilin arriti suksese edhe jashtë Kosovës. Në vitet 1948–1956 ishte nismëtar dhe pastaj arsimtar e drejtor i Shkollës së Ulët dhe të Mesme të Muzikës “Josip Sllavenski” në Prizren. Të kësaj periudhe janë punimet e tij etnomuzikologjike të botuara, si: “Format muzikore dhe veglat popullore te shqiptarët” (1950) dhe “Ritmi i këngëve popullore shqiptare” (1952), pastaj orkestralet: “Në Prizrenin e bukur” (1952) dhe cikli i përpunimeve korale të botuara me titull “Kore shqiptare” (1957). Më 1956 deri në pension ishte redaktor i muzikës popullore në Radio “Prishtinë”, më pas i produksionit muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës, ku udhëhoqi grupe këngëtarësh. Lorenc Antoni më tej, me aktivitetin e tij prej melografi dhe analisti studimor, mblodhi dhe mbarështoi afër 800 këngë dhe melodi shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Aktivitetin krijues e vazhdoi edhe si autor përpunimesh dhe kompozitor veprash korale, si: “Kore shqiptare”, “Jehonat e zemrës” (1960), kënga korale “Skënderbeu ngadhënjimtar” kompozuar në 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (1968), vepra për orkestër mandolinatash me ose pa solist (“Dhëndri fëmi”, “Moj e mira vashë e bardhë”), disa pjesë orkestrale: “Në Prizrenin e vjetër” (1959), “Tri valle shqiptare” (1962), “Malësorja” (1966) etj. (Në fotografi: Lorenc Antoni)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 54–55.

Fotografia: © Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img