Përfundoi marrëveshja e qeverisë së Ismail Qemalit, për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar italian. Kjo marrëveshje përfaqësonte një koncesion për një periudhë 60 vjet nga data e themelimit të bankës, me të drejtë zgjatjeje. Kapitali i bankës do të ishte 10 milionë korona ose 10,5 milionë lireta, i formuar në monedhë ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të aksionarëve. Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta komitetit drejtues me dy deri në katër anëtarë. Marrëveshja parashikonte që Banka Kombëtare e Shqipërisë të kryente një numër të konsiderueshëm veprimesh: shitblerje titujsh, monedhash, metalesh të çmuara, mallrash tregtie, për llogari të vet dhe për llogarinë e të tjerëve, dhënie parapagesash (avansesh) për sigurim malli, tituj etj. Gjithashtu, ajo merrte përsipër edhe pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive për shoqëritë dhe ndërmarrjet tregtare, industriale, financiare e bujqësore. Banka Kombëtare e Shqipërisë mbetej i vetmi institucion të cilit i njihej e drejta për emetimin e kartëmonedhave (biletave bankare) që u vendos të emetoheshin në shqip dhe në frëngjisht. Qeveria e Ismail Qemalit synonte nga njëra anë të konsolidonte shtetin e ri shqiptar dhe nga ana tjetër të ndihmonte borgjezinë shqiptare, e cila ishte në hapat e parë të saj. “E them me lavdurim – vinte në dukje Ismail Qemali në fjalimin që mbajti në sheshin e mbledhjes në Vlorë, – se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria e Ismail Qemalit depozitoi pranë bankës fondet që dispononte dhe u bëri thirrje tregtarëve që të depozitonin në bankë mjetet e tyre të lira. (Në fotografi: Ndërtesa e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Vlorë, 1913.)
Teksti: Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri, Banka e Shqipërisë, Tiranë, 2003, faqe 10–11.
Fotografia: © Banka e Shqipërisë, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




