U mblodh “Kongresi Kombëtar i Elbasanit”, mbledhje me karakter mbarë shqiptar, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe për probleme të tjera të lëvizjes kombëtare. U thirr me nismën e Klubit Shqiptar të Selanikut. Morën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare, midis të cilëve Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qirjazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, Ahmet Dakli, Hamdi Ohri, Abdullah Koprencka, Thoma Papapano, Nikollë Kaçori, Simon Shuteriqi, Selman Blloshmi etj. U drejtua nga një kryesi e përbërë nga katër veta dhe me kryetar Dervish bej Biçakun. Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-s, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. U vendos gjithashtu të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në mbledhjet e mbyllura delegatët shprehën kundërshtimin dhe mosbesimin ndaj regjimit xhonturk, vendosmërinë për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe nevojën e organizimit më të mirë të komiteteve të fshehta që vepronin pranë klubeve. Vendimet e Kongresi Kombëtar të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe të shkrimit shqip. (Në fotografi: Godina e shkollës së kalasë ku u mbajt Kongresi i Elbasanit, 1909.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1261.
Fotografia: © Arkivi Digjital i Elbasanit
Përpunim grafik: AHCF




