25–27 dhjetor 1918
Zhvilloi punimet Kongresi i Durrësit (1918), mbledhja e përfaqësuesve të Shqipërisë në ish-kryeqytetin e vendit, Durrës, për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar e për mbrojtjen e të drejtave kombëtare në kushtet e vështira të mbarimit të Luftës I Botërore. Kongresi i Durrësit i zhvilloi punimet në rrethanat e pranisë ushtarake italiane dhe kur qeveria e Romës kishte përgatitur planet e asgjësimit të Pavarësisë dhe copëtimit të vendit. Morën pjesë mbi 50 delegatë. Nuk pati përfaqësues: nga Luma e Peshkopia, ku ishte shtrirë pushtimi serb; nga Korça dhe Pogradeci, që ishin nën pushtimin e forcave franceze; si dhe nga Vlora, që konsiderohej nga autoritetet italiane të pushtimit si krahinë nën sovranitetin e plotë të Italisë. Kongresi i Durrësit zgjodhi një qeveri të përkohshme me përbërje të gjerë prej 14 anëtarësh me kryetar Turhan Përmetin dhe nënkryetar Preng Bib Dodën. Anëtarë të tjerë të qeverisë ishin: Mehdi Frashëri për Punët e Brendshme, Mehmet Konica për Punët e Jashtme, Pjetër Poga, ministër i Drejtësisë; Fejzi Alizoti, ministër i Financave; Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit; Mustafa Kruja, ministër i Postëtelegrafës; Lef Nosi, ministër i Ushqimit dhe i Ekonomisë dhe Sami Vrioni, ministër i Punëve Botore dhe i Bujqësisë. Si anëtarë të qeverisë u zgjodhën edhe Mithat Frashëri, Mihal Turtulli dhe Luigj Bumçi, të cilët, së bashku me Turhan Pashën dhe Mehmet Konicën u caktuan në përbërjen e delegacionit qeveritar shqiptar për Konferencën e Paqes në Paris (1919). Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-s në favor të tij, si dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes. Në Kongresin e Durrësit u vendos të formohej edhe një pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë, i cili do të thirrej një herë në dy muaj. Vendimet dhe qëndrimet e delegatëve ishin të tilla që u kundërviheshin planeve ekspansioniste të vendeve fqinje, në radhë të parë të Italisë. Por qeveria e dalë nga Kongresi i Durrësit, me Turhan Pashën në krye, në veprimtarinë e saj mbajti një qëndrim kapitullues ndaj pushtuesve italianë dhe veproi në kundërshtim me vendimet e Kongresit të Durrësit. Për këto arsye ajo u dënua nga Kongresi i Lushnjës (1920) dhe u rrëzua prej tij. (Në fotografi: Delegatë në Kongresin e Durrësit, 1918.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1256–1257.
Fotografia: © https://konica.al/2018/12/kongresi-i-durresit-cfare-ndodhi-100-vite-me-pare/
Përpunim grafik: AHCF




