Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe

Lexo ngjarje:

20 – 25 nëntor 1972

U mbajt në Tiranë “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, tubim shkencor gjithëkombëtar. U thirr për të nxjerrë përfundimet e diskutimit të gjerë për drejtshkrimin, që kishte filluar më 1967, pas botimit të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (projekt), për të caktuar parimet dhe vijat themelore të hartimit të drejtshkrimit në trajtë përfundimtare, si edhe për të vendosur për një varg çështjesh të tjera, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit e të gjuhës letrare kombëtare në tërësi. Në kongres morën pjesë 87 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, nga shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë. Ndërmjet tyre kishte studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të arsimit dhe të kulturës e të tjerë. Në kongres u mbajt një referat qendror me temën “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” (Androkli Kostallari) dhe mbi 150 kumtesa e referime shkencore (gjithë materialet e kongresit janë botuar në dy vëllime: “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe” I, II, Tiranë, 1973). Kongresi bëri bilancin e gjithë punës së mëparshme për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pas diskutimeve të gjera në seanca plenare dhe në dy seksione, ai miratoi njëzëri “Rezolutën”, që është një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët të njerëzve të shkencës, të shkollës dhe të kulturës shqiptare. Duke bërë përgjithësimin shkencor të analizës së strukturës dhe të veçorive funksionale të gjuhës së sotme letrare shqipe, rezoluta pohoi për herë të parë se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”. Kongresi shënoi fillimin e periudhës së një gjuhe letrare të vetme të njësuar, e cila u mbështet edhe me vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (nr. 50, datë 08.03.1974). Ndërkaq, disa studiues e krijues në emigracion vijuan të shkruajnë gegërishten me variacione sipas krahinave të prejardhjes së tyre. Pas vendosjes së sistemit pluralist u shprehën kërkesa që të mos pengohet lëvrimi i gegërishtes letrare, sidomos në krijimtarinë letrare. Me rifillimin e veprimtarisë fetare në Shqipëri, gjuha letrare e njësuar u shtri edhe në botimet fetare. Kongresi i drejtshkrimit pati jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të vendit dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore kombëtare. Ai ishte kurorëzim i përpjekjeve të vijueshme të gjuhëtarëve e të inteligjencies shqiptare për afrimin e shkallëshkallshëm të varianteve letrare të mëparshme dhe për formimin e një norme letrare kombëtare të njësuar. (Në fotografi: Libri “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, Tiranë, 1973.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1255–1256.

Fotografia: © http://www.shkenca.org/index.php/gjuhe-shqipe/18-drejtshkrimi/51-drejtshkrimi-i-gjuhes-shqipe

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img