Në fshatin Pezë të Tiranës u mblodh “Konferenca e Parë Nacionalçlirimtare” (njihet edhe si Konferenca e Pezës), me nismën e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në konferencë morën pjesë 18 delegatë dhe disa të tjerë si dëgjues. Ata përfaqësonin Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe rryma të ndryshme nacionaliste. Delegacionin e Partisë Komuniste të Shqipërisë e përfaqësonin Enver Hoxha, Ramadan Çitaku, Ymer Dishnica, Koço Tashko dhe Mustafa Gjinishi. Rininë Antifashiste e përfaqësonte Nako Spiru. Përfaqësues të rrymës zogiste ishin: Abaz Kupi dhe Ndoc Çoba. Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi Ndoc Çoba, delegati më i moshuar. Problemi themelor që shqyrtoi konferenca ishte bashkimi i popullit shqiptar në një front të vetëm nacionalçlirimtar për t’i bërë ballë situatës së krijuar me pushtimin fashist të vendit. Vendimi kryesor që mori konferenca ishte: krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, në të cilën do të bënin pjesë të gjitha forcat antifashiste të vendit, të gjithë patriotët, pavarësisht nga përkatësia shoqërore, nga dallimet fetare, krahinore dhe nga bindjet politike. Frontit Nacionalçlirimtar i ngarkoheshin tri detyra të rëndësishme. 1) të mobilizonte popullin shqiptar në luftë kundër pushtuesit për të rifituar pavarësinë kombëtare; 2) të udhëhiqte këshillat nacionalçlirimtarë që do të formoheshin si organe lufte në zonat e pushtuara dhe si organe pushteti në zonat e çliruara: 3) të rreshtonte Shqipërinë dhe luftën e saj antifashiste në Koalicionin Anglo-Sovjeto-Amerikan. Prej kësaj lufte do të dilte Shtabi i Përgjithshëm dhe do të krijohej Ushtria Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar. Ideja e krijimit te çetave u pranua nga pjesëmarrësit. Por nacionalistët paraqitën një kundërshtim për emrin e tyre partizan dhe për mbajtjen e yllit të kuq partizan pesëcepësh në kapelat e luftëtarëve, me argumentin se një gjë e tillë do t’u jepte armë fashistëve e bashkëpunëtorëve të tyre të luftonin Lëvizjen Nacionalçlirimtare si “komuniste”. Të gjithë delegatët u shprehen të një mendjeje që regjimi i ri në Shqipëri të ishte një regjim demokratik. Për sa i përket formës së regjimit, këtë do ta vendoste vetë populli pas lufte. Në konferencë u diskutua edhe çështja e Kosovës. Në fund u përfundua që ajo të zgjidhej në bazë të së drejtës së vetëvendosjes, siç e parashikonte Karta e Atlantikut, dhe se këtë të drejtë kosovarët dhe shqiptarët e viseve të tjera në Jugosllavi do ta fitonin duke u ngritur në luftë kundër fashizmit, krah për krah me vëllezërit e tyre në Shqipëri dhe me popujt e tjerë, duke përfshirë dhe popujt jugosllavë. Çështjet që u diskutuan e u vendosën në konferencë gjetën pasqyrim në Rezolucionin që u pranua njëzëri nga delegatët. Rezolucioni përbënte platformën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Në fund konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të përbërë nga: Enver Hoxha, Myslym Peza, Mustafa Xhani, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi, Ndoc Çoba dhe Kamber Qafmolla. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar iu drejtua popullit shqiptar me një thirrje, në të cilën bëhej e ditur se delegatet e tri rrymave nacionaliste shqiptare u takuan bashkë me delegatët e Partisë Komuniste dhe deklaruan vullnetin e tyre për luftë të përbashkët dhe për bashkimin kombëtar në një front të përbashkët. (Në fotografi: Shtëpia ku u mblodh Konferenca e Pezës, 1942)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 55–57.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




