Në fshatin Zabllaq të Kosovës u nda nga jeta Igballe Oshlani, mjeke, dëshmore. Lindi në Vushtrri, në vitin 1954. Në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë (1984). Punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri. Në pranverë të vitit 1999, bashkë me familjen, përjetoi deportimet dhe eksodin. Të dëbuarit nga Mitrovica, ku gjendej edhe Igballe Oshlani, u detyruan të marrin rrugën në drejtim të Shqipërisë. Një pjesë e kolonës ndalet me dhunë në fshatin Zabllaq. Ushtria serbe granatoi fshatin Zabllaq dhe popullatën civile. Mjekja Igballe Oshlani ishte duke u ofruar ndihmë mjekësore civilëve, kur u mor nga ushtria dhe paramilitarët serbë dhe u masakrua bashkë me bashkëshortin dhe një numër civilësh të tjerë. (Në fotografi: Pozita e komunës së Burimit në hartën e Kosovës.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1231.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Komuna_e_Burimit
Përpunim grafik: AHCF




