Në Manastir (Bitola e Maqedonisë së Veriut) u nda nga jeta Gjergj Qiriazi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist, vëlla i Gjerasim Qiriazit. Lindi në Manastir, në vitin 1868. Ashtu si i vëllai, Gjergji ndoqi shkollën greke në vendlindje, në Manastir, dhe kolegjin amerikan në Samokov. U mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore. Pas vdekjes së të vëllait, më 1894, mori në dorë drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, kurse më 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Më 1909-n Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën shqipe “Bashkim’ i kombit”, duke u dalluar vazhdimisht për një aktivitet politik. Gjergj Qiriazi botoi një përmbledhje me vjersha fetare me titullin “Kënkë të shenjtëruara”, Sofje 1906. Qe aktiv, sidomos në botime tekstesh shkollore. Ai botoi një tekst për fizikën, “Fizika”, Bukuresht 1899, si dhe një numër artikujsh në organe shtypi të kohës. (Në fotografi: Gjergj Qiriazi)
Teksti: Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, “Dukagjini”, Pejë, 2001, faqe 212–213.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Skeda:Gjergj_Qiriazi_%28Kyrias%29_1868_%E2%80%94_1912.jpg
Përpunim grafik: AHCF




