Në Francë u nda nga jeta Fransua Pukëvilë (François Charles Henry Louis Pouqueville), mjek, natyralist, diplomat, historian e arkeolog francez. Lindi në Francë, në vitin 1770. Ishte konsull i përgjithshëm i Perandorisë e më pas i Mbretërisë Franceze në Janinë dhe në Patra. Ndoqi nga afër veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut I të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër. Në veprat e tij, sidomos në “Voyage de la Grèce” (“Udhëtim nëpër Greqi”, Paris, 1820) dhe “Histoire de la regénération de la Grèce” (“Historia e ringjalljes së Greqisë”), jep të dhëna të çmueshme për vendin, popullin e shtresat shoqërore të Shqipërisë Jugore. Ndonëse armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e Aliut për shkëputje nga Perandoria Osmane. Vlerësimet e tij që nxijnë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. (Në fotografi: Fransua Pukëvilë)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2124.
Fotografia: © https://www.pop.culture.gouv.fr/notice/joconde/000PE008168
Përpunim grafik: AHCF




