Në spitalin e Brukselit u nda nga jeta Frano Prendi, arkeolog, specialist i periudhës prehistorike, një ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, profesor. Lindi në Shkodër, në vitin 1928. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për arkeologji në Universitetin e Sofjes (1951). Po këtë vit filloi punën në Institutin e Shkencave. Është bashkautor në veprat: “Historia e Shqipërisë” vëll. I (1959), “Historia e popullit shqiptar” vëll. I (2002), “Les Illyriens” (Tiranë, 1985) dhe një ndër përgatitësit e vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë” (1965). Nismëtar i kërkimeve më të hershme në fushën e prehistorisë shqiptare, drejtues gërmimesh në disa qendra të rëndësishme prehistorike, ndër të cilat vendin kryesor e zë Maliqi, e më tej Kamniku, Podgoria, Blazi, Sovjani (si bashkëdrejtor i projektit shqiptaro-francez), varrezat tumulare të Matit, Mjedës, Vajzës, Dropullit etj. Në vitet 1958–1960 gërmoi në qytetin antik të Apolonisë. Prodhimtaria shkencore e tij shumë e pasur është pasqyruar në një numër të madh artikujsh, kumtesash e studimesh, si: “Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri”, “Epoka e bronzit në Shqipëri”, “Unitet dhe veçori në kulturën ilire të kohës së hekurit në Shqipëri”, “The Prehistory of Albania” (në “The Cambridge Ancient History” III, 1982). Me zbulimin e qytezës ilire të Irmajt (Gramsh) dhe me gërmimet disavjeçare në qytetin iliro-shqiptar të Lezhës, Frano Prendi ka dhënë ndihmesë edhe në fushën e kërkimeve e studimeve antike ilire e mesjetare. Frano Prendi ka qenë pedagog i jashtëm i arkeologjisë në Universitetin e Tiranës; anëtar nderi i Institutit Arkeologjik Gjerman; dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe me Medaljen e Nderit nga “Collège de France”. (Në fotografi: Frano Prendi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2080–2081.
Fotografia: © https://www.gazetatema.net/2022/02/24/frano-prendi-themelues-i-arkeologjise-se-periudhes-se-prehistorise
Përpunim grafik: AHCF




