U nda nga jeta Fatos Sela, aktor, “Artist i merituar”. Lindi në Tiranë, në vitin 1948. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1972 në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës. Në vitet 1972–1975 punoi si regjisor në Televizionin Shqiptar. Më 1975 u transferua në teatrin “Bylis” të Fierit në të cilin punoi si aktor deri në vitin 1995. Periudha e punës në Teatrin e Fierit është koha e formimit dhe afirmimit të tij. Si një nga aktorët më në zë të këtij teatri, interpretoi pothuajse të gjitha rolet kryesore të veprave të vëna në skenë si nga dramaturgjia shqiptare, ashtu edhe nga ajo e huaj. Është vlerësuar me shumë çmime në festivale të teatrove. Në rolin e Avni Rustemit te “Dy krisma në Paris” e Pëllumb Kullës, nderuar me Çmimin e Republikës, ai kulmoi në fundin e dramës me monologun e fjalës mbrojtëse, që e shndërroi në një pretencë plot patos kundër tradhtisë dhe tradhtarëve. Që nga viti 1995 e në vijim ishte aktor i Teatrit Kombëtar. Fatos Sela shquhet për zërin e tij tingëllues, bariton në bas, sikurse edhe për fjalën e rrumbullakuar, për dhuntitë fizike me prirje për role heronjsh, prijës a njerëz me individualitet të shprehur. Është i njohur për ndjenjën e ngrohtë, syrin e mbushur dhe përjetimin e thellë. Këto shoqërohen rëndom me shpërthime të befta, por aspak të rrëmujshme e të pakontrolluara, përkundrazi të qarta dhe me qëllime të prera. (Në fotografi: Fatos Sela)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.facebook.com/65249967120/posts/10155678051412121/
Përpunim grafik: AHCF




