Në Uashington (SHBA) u nda nga jeta Faik Konica, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, njëri ndër personalitetet më në zë të kulturës e të letërsisë shqiptare. Lindi në Konicë (sot në Greqi), në vitin 1875. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe e greke. Vijoi shkollimin në shkollën e jezuitëve në Shkodër, më pas në Stamboll, në Liceun Perandorak Francez. Shkollën e mesme e vazhdoi në Francë, kurse studimet universitare për filozofi, në Dizhon e Paris. Më 1912 mori gradën “Master” në letërsi, në Universitetin e Harvardit (SHBA). Faik Konica u lidh qysh herët me idetë e lëvizjes kombëtare shqiptare. Fryt i kësaj vale të parë patriotizmi ishte edhe broshura në frëngjisht “Les Albanaises et les Turques” Paris, 1895 (“Shqiptarët dhe turqit”). Në vitin 1897, Faik Konica u vendos në Bruksel, ku po atë vit nisi të botojë revistën politiko-kulturore e letrare “Albania”, e cila shumë shpejt u bë organi më i rëndësishëm dhe më me autoritet i lëvizjes kombëtare shqiptare. E botuar fillimisht shqip e frëngjisht dhe pjesërisht turqisht, “Albania” përfaqësonte një enciklopedi të vërtetë të historisë, të kulturës e jetës shqiptare. Në vitet 1903–1909, revista u botua në Londër. Pas mbylljes së saj, Faik Konica u vendos në SHBA, ku vijoi veprimtarinë publicistike me botimin e organeve “Dielli” e më pas “Trumbeta e Krujës”. Me themelimin e federatës “Vatra” (1912), u zgjodh sekretar i përgjithshëm e më pas kryetar i saj (1921). Më 1913, vizitoi Shqipërinë. Pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet (dhjetor 1924), mbajti një qëndrim pajtues me këtë të fundit dhe më 1926, u emërua prej tij ministër i Shqipërisë në SHBA. Faik Konica shënoi në letërsinë shqipe një kthesë të rëndësishme. Me veprën e tij letrare e sidomos edhe me shkrimet kritike, letërsia shqipe kaloi nga patosi afirmativ romantik, në patosin satirik të kritikës ndaj mendësive të vjetra. Faik Konica ishte një kritik i ashpër deri në cinizëm, duke reflektuar një njohje të thellë të mendësisë e të jetës shoqërore e politike shqiptare. Për këtë arsye, në studimet historiko-letrare ai vështrohet si themeluesi i asaj vetëdijeje kritike për jetën e dukuritë shqiptare, që në përgjithësi përshkon jo vetëm veprën e tij, por, në një pjesë të mirë, edhe letërsinë e gjysmës së parë të shekullit XX. Vepra e tij më e spikatur, proza e gjatë satirike “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, është një dëshmi e platformës së tij estetike e artistike, e cila bazohet në realizmin si qasje artistike ndaj problematikës shqiptare, si dhe në satirën si mjetin kryesor letrar për ta përgjithësuar atë. Shkrimet e Faik Konicës kanë luajtur një rol me rëndësi për lëvrimin e pasurimin e shqipes dhe për diferencimin e stileve të saj. Është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Faik Konica)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1263–1264.
Fotografia: © Xhoxhi L., koleksioni vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




