Në Zhupë, Mazrrek lindi Dom Nikollë Mazrreku, klerik katolik, shkrimtar, polemist. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ndërsa të lartat në Romë. Më 1936 u shugurua meshtar. Pas një viti u kthye në Shqipëri. U zgjodh sekretar i ipeshkvit e, më vonë, i Delegatit Apostolik, Imzot Ildebrando Antoniutit. Nga viti 1942 deri më 1945 shërbeu si famullitar në Kryezi. U arrestua në maj të vitit 1946 dhe u dënua me 5 vjet burg, që i kreu në Shkodër. Pas lirimit, u internua në Tepelenë e Lushnjë. Në vitin 1955 u lirua nga internimi dhe u emërua në Pulaj të Arkidioqezës së Shkodrës. Po atë vit kaloi në dioqezën e tij në Dardhë e, më pas, në Laç të Vaut të Dejës. Nga Laçi drejtoi punimet për ndërtimin e altarit të madh të Katedrales së Shkodrës (1958). U internua sërish në Lushnjë, Çermë, Gradishtë etj. U lirua më 1965 dhe banoi tek e motra në Shkodër. U arrestua sërish në prill të 1967-s dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 1987. Pas rihapjes së kishave, ndonëse në moshë të thyer, shërbeu si famullitar në Laç të Vaut të Dejës dhe në shërbimin e Caritas-it të qytetit të Shkodrës, derisa u nda nga jeta, më 1996, pranë familjes së motrës së tij. (Në fotografi: Nikollë Mazrreku)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 251–252.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




