Beteja e Maricës

Lexo ngjarje:

Në Bullgari u zhvillua “Beteja e Maricës”, ndeshja e parë e armatosur e një koalicioni sundimtarësh ballkanas me pushtuesit osmanë. Pas rënies së Adrianopojës në duart e osmanëve dhe pas dendësimit të sulmeve të befasishme drejt viseve të brendshme të Ballkanit, për të mënjanuar rrezikun e ekspansionit të mëtejshëm osmanë, një ushtri feudalësh serbë, maqedonas dhe bullgarë i doli përballë ushtrisë osmane në luginën e lumit “Marica”, në Traki. Midis tyre ishte edhe sundimtari i Vlorës, Aleksandri, me forcat e veta. Ushtria e koalicionit arriti në një forcë prej afro 60 mijë vetash nën komandën e sundimtarëve serbë Vukashin e Uglesha, ndërsa ajo osmane nuk kishte më tepër se 15 mijë veta nën komandën e Evrenos Beut. Osmanët, duke përfituar nga taktika e sulmeve të papritura kundër ushtrisë së rëndë feudale e ballkanase, e zunë atë në befasi pa gdhirë ende drita. Beteja mbaroi me disfatën e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u vranë, midis tyre edhe Aleksandri i Vlorës. Me këtë fitore u konsolidua përfundimisht pushteti i osmanëve në Ballkan dhe filloi vargu i pandërprerë i sulmeve të befasishme dhe i pushtimeve drejt viseve perëndimore, midis tyre edhe i tokave shqiptare. (Në fotografi: Harta, lumi “Marica”, Bullgari.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 229.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Maritsa

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img