Në Tiranë u nda nga jeta Bashkim Fino, kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, veprimtar politik. Lindi në Gjirokastër, në vitin 1962. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë (dega e financës) të Universitetit të Tiranës (1986). Punoi në Qendrën Informatiko-Ekonomike në Gjirokastër (1987–1992), ku qe edhe drejtor i saj (1990–1992). U zgjodh kryetar i bashkisë së Gjirokastrës në vitet 1992–1996. Me marrëveshjen e 9 marsit 1997 ndërmjet forcave politike, e cila synonte të gjente rrugëzgjidhje për gjendjen e krijuar nga ngjarjet e fillimit të vitit 1997, që çuan në paralizimin e strukturave shtetërore, Bashkim Fino u emërua kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (mars-korrik 1997). Në krye të saj mori masa për rivendosjen e rendit publik dhe përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 1997, në të cilat u zgjodh deputet i Kuçovës. Në qeverinë që doli nga këto zgjedhje, u emërua zv.kryeministër (11.08.1997–16.04.1998); ministër i Pushtetit Lokal (20.04.1998–02.10.1998), ministër i Pushtetit Vendor (05.01.1999–11.09.2001), ministër i Punëve Publike dhe Turizmit (12.09.2001–20.02.2002), ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit (29.12.2003–shtator 2005). Deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1997. (Në fotografi: Bashkim Fino)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 683.
Fotografia: © https://spectrumnews1.com/oh/toledo/ap-top-news/2021/03/29/economist-who-pulled-albania-out-of-1997-anarchy-dead-at-58
Përpunim grafik: AHCF




