Në Romë (Itali) u nda nga jeta at Anton Luli, klerik katolik. Lindi në Lohe të Shkodrës, në vitin 1910. Më 1924, filloi Seminarin Papnor në Shkodër. Në Shkodër dhe në Seminar dha gjuhë italiane, gjuhë shqipe, histori e gjeografi. Pas tri vitesh mësuesie, njërin prej të cilëve në Tiranë, eprorët e dërguan për të kryer teologjinë në Shtëpinë e Shën Antonit, në Kieri, afër Torinos, ku dhe u shugurua meshtar më 13 maj 1942. Në gusht 1943 u kthye përfundimisht në Shkodër. Në janar 1946, imzot Frano Gjini e emëroi rektor të Kolegjit Saverian dhe të Seminarit Papnor. Pas mbylljes së tyre, u caktua famullitar në famullinë e Shkrelit. U arrestua më 19 dhjetor 1947, për agjitacion e propagandë. Në pritje të procesit gjyqësor, u mbajt për tetë muaj e gjysmë në burgun e Koplikut. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në nëntor të vitit 1948 në Shkodër, u dënua me shtatë vjet punë të detyruar. Pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në kampin e punës, në Beden të Kavajës. Prej aty, pas gjashtë vitesh u transferua në burgun e Burrelit, prej nga u lirua më 20 tetor 1954. Iu lejua të shërbente sërish, ndaj më 15 maj 1955 u caktua në Shënkoll të Lezhës, ku shërbeu deri më 6 dhjetor 1966, kur kisha u mbyll e u përdor si “sallë kulture”. Për dhjetë muaj ndenji tek i vëllai, në Lohe, ku punoi në kooperativë me bashkëfshatarët e tij. Më 30 prill 1979 u arrestua për të dytën herë. Në pritje të gjyqit, u mbajt për nëntë muaj në burgun e Sigurimit, në Shkodër. Më 6 nëntor 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim; pas dy ditësh dënimi iu kthye në njëzet e pesë vjet heqje lirie e pesë vjet internim. Dënimin e filloi në kampin e Ballshit. Pas Ballshit, u transferua në kampin e Shënkollit, në Lezhë, e prej aty në Përparim të Sarandës. U lirua më 15 prill 1989. Meshën e parë e tha në varrezat e Bushatit, më 25 nëntor 1990. (Në fotografi: Anton Luli)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 111–112.
Fotografia: © https://memorie.al/en/
Përpunim grafik: AHCF




