Ahmet Zogu (Mbreti Zog i Parë)

Lexo ngjarje:

Më 9 prill 1961, në spitalin “Foch”, në Syren të Parisit, u nda nga jeta Ahmet Zogu (Mbreti Zog i Parë), themelues i Mbretnisë Shqiptare, president dhe kryeministër i Shqipërisë, personalitet politik e ushtarak. Lindi në fshatin Burgajet të Matit, në një familje bajraktarësh. Në vitet 1903–1912 mësoi në një shkollë ushtarake në Stamboll e pastaj në Austri. Pas Shpalljes së Pavarësisë u angazhua në lëvizjen kombëtare e politike të vendit, ku u dallua si politikan e ushtarak. Mori pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës (1920) dhe u zgjodh ministër i Brendshëm. Qe deputet në Këshillin Kombëtar (1921–1923); kryeministër (2.12.1922– 25.02.1924). Pas atentatit të kryer ndaj tij, në shkurt 1924, dha dorëheqjen. Pasi u përmbys qeveria e Iljaz Vrionit nga Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924, Ahmet Zogu dhe gjithë qeveritarët e tjerë u larguan nga Shqipëria. Ahmet Zogu qëndroi 6 muaj në Jugosllavi. Atje, me ndihmën e autoriteteve jugosllave dhe me përkrahjen edhe të fuqive të tjera, përgatiti ndërhyrjen e armatosur kundër qeverisë demokratike të Fan S. Nolit. Më 24 dhjetor 1924, në krye të forcave të rekrutuara prej tij, hyri në Tiranë. Në vitet 1925–1928, me shpalljen e Shqipërisë Republikë (21 janar 1925), Ahmet Zogu u zgjodh president i saj. Në vitin 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Mbret të Shqiptarëve dhe sanksionoi formën monarkike të shtetit. “Statuti Themeltar i Mbretnis Shqiptare” që sanksiononte monarkinë, i miratuar nga Asambleja Kushtetuese, hyri në fuqi më 1.12.1928. Në qeverisjen e vendit Ahmet Zogu zbatoi një varg reformash në fushën sociale, kulturore e arsimore, nga të cilat më të rëndësishme ishin ato që u morën në fushën e legjislacionit, si Kodi Penal, Kodi Civil dhe Kodi tregtar, të hartuar sipas modeleve të kodeve të vendeve perëndimore. Ahmet Zogu nxori ligje për ndarjen e fesë nga shteti dhe përkrahu pavarësinë e institucioneve fetare nga qendrat e huaja. Për të kapërcyer prapambetjen ekonomike të vendit, Ahmet Zogu tërhoqi kapitalin e huaj në Shqipëri, kryesisht atë italian, si dhe atë të Anglisë, SHBA-së, Francës etj., të cilëve u dha koncesionet e kërkimit e të shfrytëzimit të naftës në sipërfaqe të mëdha, koncesionin e krijimit të Bankës Kombëtare (1925) me qendër në Romë, si dhe koncesione të tjera. Nën trysninë e qeverisë së Romës, e cila shfrytëzoi edhe vështirësitë financiare të shtetit shqiptar, Ahmet Zogu nënshkroi me Italinë “Paktin I italo-shqiptar të miqësisë dhe sigurimit” (Tiranë, 1926) dhe më 1927 Paktin II të Tiranës (“Traktati i aleancës mbrojtëse”), që i hapën rrugën nënshtrimit politik e ushtarak të Shqipërisë nga Italia. Paktet dhe aleancat ekonomike, politike e ushtarake me Italinë u bënë kërcënuese për pavarësinë e shtetit shqiptar. Në ditët e para të prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kishte vendosur tanimë ta pushtonte Shqipërinë dhe shtoi trysninë ushtarake ndaj qeverisë shqiptare, Ahmet Zogu kundërshtoi dhe hodhi poshtë disa herë kërkesat e përsëritura dhe ultimatumet e Romës për të pranuar futjen e ushtrisë italiane në Shqipëri dhe për pushtimin e saj “paqësor”. Jetoi si emigrant në disa vende, në Turqi, Angli, Egjipt dhe përfundimisht në Francë. Përpjekjet e tij për t’u rikthyer si mbret në Shqipëri, nëpërmjet ndihmës së simpatizantëve të vet apo të shteteve të interesuara të Perëndimit, qenë të pasuksesshme. (Në fotografi: Mbreti Ahmet Zogu)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2995–2996.

Fotografia: © https://albanianroyalcourt.al/sq/zog-i-mbret-i-shqiptareve/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img