Më 7 prill 1939 filloi Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944), një nga më të mëdhatë e më të suksesshmet që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre. Agresioni i ndërmarrë nga Italia fashiste përfundoi me pushtimin e vendit. Pushtimi i Shqipërisë ishte pjesë e planeve strategjike për vendosjen e regjimeve fashiste në rajonin e Ballkanit. Italia kishte interesa e synime të kahershme strategjike. Së pari, Shqipëria, që ndodhej në krahun tjetër të Adriatikut, shumë afër Italisë, kishte pasuri të lakmueshme natyrore, shfrytëzimi i të cilave mendohej se do t’i sillte Romës përfitime ekonomike. Shqipëria ishte e pasur me produkte strategjike të një rëndësie të dorës së parë për industrinë ushtarake, si: nafta, bitumi, hekuri, kromi etj. Së dyti, pozicioni i favorshëm gjeografik i jepte Shqipërisë një rëndësi të veçantë në planet strategjike të Romës. Sipas krerëve fashistë, Shqipëria duhej të shërbente si urë për depërtim të mëtejshëm në Ballkan e më gjerë, pasi Italia nuk mendonte të ndalej e të mjaftohej me pushtimin e Shqipërisë. Ajo synonte të zgjeronte më tej kufijtë e Perandorisë fashiste Romake, duke përfshirë në të edhe vendet e tjera ballkanike. Agresioni që do të ndërmerrte më pas ndaj Greqisë, dëshmoi më së miri për planet dhe pretendimet e Romës. (Në fotografi: Zbarkimi i ushtarëve italianë në portin e Durrësit, 1939.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 23–24.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




