U nda nga jeta Preg Bib Doda (1859–1919), kreu i krahinës së Mirditës, drejtues i lëvizjes kundërosmane në këtë krahinë dhe një nga udhëheqësit ushtarakë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) në Shkodër. U edukua në fëmijëri nën kujdesin e poetit arbëresh Leonardo de Martino. Më 1869, për të penguar mirditasit të ngrinin krye, Porta e Lartë e mori peng në Stamboll; më 1876, u soll në Shqipëri. Udhëhoqi kryengritjen kundërosmane të viteve 1876–1877 në Mirditë. Përkrahu për një kohë idenë separatiste të krijimit të një principate katolike në Shqipërinë e Veriut. Në vitet 1878–1880, qe një ndër udhëheqësit e shtabit ushtarak (të Shkodrës) në luftën e forcave të Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare të Veriut kundër pushtuesve malazezë dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878). Në dhjetor të vitit 1880, u arrestua pabesisht dhe u internua në Anadoll, ku u mbajt 28 vjet. Gjatë internimit e gjymtuan dhe i nxorën njërin sy. U kthye në Shqipëri në vitin 1908. Për kontributin në lëvizjen kombëtare të viteve 1910–1912, u zgjodh ministër e më pas zv.kryeministër në qeverinë e Vlorës. Më 1914, mbështeti qeverinë e Vidit kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme. Më 1919, u caktua zv.kryeministër në qeverinë kombëtare të Durrësit. (Në fotografi: Preg Bib Doda)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 498.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Preng_Bib_Doda
Përpunim grafik: AHCF




