U çlirua Shkupi nga repartet e Lidhjes së Prizrenit të komanduara nga Sulejman Vokshi. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore, në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave, me qendër në Shkup, mori urdhër të mos transportonte trupa e municione për ushtrinë turke. (Në fotografi: Qyteti i Shkupit, shekulli XIX.)
Teksti: Historia e Popullit Shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 218.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Xhamia_Burmali
Përpunim grafik: AHCF




