Në Borsh të Sarandës lindi Agron Aliaj, kërcimtar dhe koreograf, Artist i Popullit. Pasi kreu studimet e larta si kërcimtar në Shkollën Akademike Koreografike pranë Teatrit “Bolshoi” të Moskës (1951–1956), u përfshi në trupën e baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku realizoi figura kryesore në baletet: “Kujdesi i kotë”, “Lola”, “Françeska da Rimini”, “Paganini”, “Delina”, si dhe numra koreografikë koncertorë të shkëputur nga baletet apo të krijuar nga ai vetë sipas muzikës së autorëve të njohur. Që nga viti 1969, baletmaestër kryesor i Teatrit të Operës dhe Baletit, ku realizoi baletet: “Arrëthyesi” (Çajkovski), “Zhizel” (Adam), “Don Kishoti” (Minkus), “Hirushja” dhe “Romeo e Zhuljeta” (Prokofiev), “Cuca e maleve” dhe “Historia e një kënge” (Nikolla Zoraqi), “Para stuhisë” (Çesk Zadeja), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” (Feim Ibrahimi). Realizoi një numër të madh miniaturash koreografike me muzikë shqiptare e të huaj, disa vepra të njohura (“Romeo e Zhuljeta”, “Hirushja”). Është një prej themeluesve të shkollës koreografike shqiptare. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2012. (Në fotografi: Agron Aliaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 54.
Fotografia: © https://shqiptareteshquar.wordpress.com/2020/04/04/agron-aliaj-kolosi-i-koreografise-shqiptare/
Përpunim grafik: AHCF




