U shpall kapitullimi i Italisë fashiste. Kapitullimi i Italisë erdhi si pasojë e disfatave që pësuan armatat gjermane e italiane në frontet kryesore të Luftës së Dytë Botërore dhe e krizës në të cilën ishte zhytur Italia, për shkak të angazhimit në një luftë të padrejtë. Pas disfatës që Gjermania hitleriane dhe aleatët e saj pësuan në Stalingrad, Italia humbi çdo shpresë për të fituar luftën. Në korrik, forcat anglo-amerikane zbarkuan në Sicili dhe në gusht në Gadishullin e Apenineve, duke e rënduar më tej pozitën e Boshtit Fashist. Në rrethana të tilla, qeveria e Badolios, e cila kishte ardhur në fuqi pas rënies së Musolinit, u detyrua të shpallte kapitullimin e Italisë dhe të fillonte bisedimet me aleatët për daljen nga lufta. Kapitullimi i Italisë ishte një goditje e rëndë për Bllokun Fashist. Pas nënshkrimit të aktit të kapitullimit me Aleatët e Koalicionit Antifashist, mareshali Badolio njoftoi komandën e trupave italiane në Shqipëri se aleanca me Gjermaninë kishte marrë fund. Për rrjedhojë, do të ndërpritej çdo bashkëpunim me komandat dhe me repartet gjermane. Ndërkohë repartet italiane udhëzoheshin që të ndërprisnin veprimet luftarake kundër forcave partizane dhe forcave të tjera antifashiste, të hynin në lidhje me komandat e tyre dhe t’u thuhej se ishin të gatshme të luftonin së bashku kundër trupave gjermane. Atyre, gjithashtu, do t’u dorëzohej i gjithë materiali luftarak që disponohej. Kapitullimi i Italisë krijoi një situatë të re. Në përputhje me të, forcat e rezistencës shqiptare përcaktuan qëndrimin ndaj ushtrisë italiane, që ishte e shpartalluar dhe në pritje të urdhrit për largimin nga Shqipëria, si dhe ndaj ushtrisë naziste, që ishte bërë gati t’i zinte vendin, të pushtonte Shqipërinë. (Në fotografi: Qarkore e Shtabit të Përgjithshëm mbi trajtimin e ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 74–76.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




