Në Pestovë afër Vushtrrisë u vra Zahir Pajaziti, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hero i Kosovës. Lindi në fshatin Turuqicë të komunës së Podujevës, në vitin 1962. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Orllan, pastaj u regjistrua në shkollën e policisë në Vushtrri, por u përjashtua pas një viti si i papërshtatshëm politikisht. Më 1981 u regjistrua në degën e gjuhës dhe të letërsisë angleze në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Po atë vit mori pjesë në demonstratat në Podujevë. Më pas vazhdoi veprimtarinë ilegale. Në fillim të viteve ’90 ishte aktiv në organizimin e Parlamenti Rinor, duke formuar degën e këtij subjekti në Orllan. Ishte aktiv edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve. Në vitin 1991, Zahir Pajaziti shkoi në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Kontribuoi në furnizimin me armatim të celulave ushtarake të krijuara në rrethinën e Orllanit. Kaloi shumë herë kufirin e Shqipërisë gjatë viteve 1994–1997. Gjatë këtyre viteve punoi në zgjerimin e bashkëpunëtorëve të rinj brenda dhe jashtë zonës së Llapit. Në vitin 1996 kreu shumë aksione luftarake të koordinuara në tërë territorin e Kosovës. Disa ditë pas kthimit nga Shqipëria, u vra në një pritë të organizuar nga policia serbe. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, Presidenti i Kosovës i akordoi urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Zahir Pajaziti)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1238–1239.
Fotografia: © https://www.facebook.com/360293384108838/photos/a.455063714631804/1813728478765314/
Përpunim grafik: AHCF




