Në Shkodër u nda nga jeta Ali Shefqeti (Shkupi), oficer, drejtues dhe ushtarak i lartë shqiptar gjatë viteve 1910–1935. Lindi në Pejë, në vitin 1883. Ndoqi gjimnazin ushtarak të Manastirit, Shkollën e Lartë Ushtarake dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Stambollit, ku u gradua kapiten i Shtatmadhorisë. Shërbeu në detyra të ndryshme në njësi dhe në garnizone të Perandorisë Osmane në Maqedoni, Selanik e Stamboll. Në prill 1913 hyri në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u caktua kryetar i Shtabit Madhor. Përkrah ministrit të Luftës Mehmet Dërralla dhe oficerëve të tjerë, shqiptarë ndihmoi ndjeshëm në organizimin dhe drejtimin e shtabit e të strukturave të tjera të ushtrisë shqiptare. Drejtoi punën për hartimin e “Rregullores për organizimin e Milicisë Shqiptare”. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920) e caktoi komandant të Forcave të Armatosura e më pas kryetar të Shtabit Madhor. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924, prandaj pas disfatës së tij u përjashtua nga ushtria, kurse më 1935 u arrestua e u dënua për pjesëmarrje në Kryengritjen e Fierit (1935). Dënoi dhe kundërshtoi pushtimin fashist të Shqipërisë. (Në fotografi: Ali Shefqeti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2435.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_Shefqet_Shkupi
Përpunim grafik: AHCF




