Kongresi i Manastirit

Lexo ngjarje:

Në Bitola (Maqedonia e Veriut) përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, i vlerësuar si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë. Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen e profesorëve për këtë universitet do të dërgoheshin çdo vit, me bursa të shtetit, të rinj që do të mësonin në shkollat e larta të Evropës dhe të SHBA-së. Kongresi i Manastirit shënoi një hap të rëndësishëm në ngritjen e shkallës së organizimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vetë thirrja e tij si një forum mbarëkombëtar, vendimet që mori për çështje të tilla që i takonin gjithë kombit dhe, në mënyrë të veçantë, njohja faktike e Klubit të Manastirit si klub qendror, me të cilin do të mbanin lidhje gjithë klubet e tjera, dëshmojnë për vendosjen e një bashkërendimi të veprimtarisë organizative e politike-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, nën drejtimin e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Jo rastësisht konsujt e huaj e trajtonin këtë masë si një përpjekje që do të krijonte njëlloj federate të klubeve shqiptare. Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar. Për herë të parë, pas kuvendeve që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878–1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899–1900), u mblodhën në këtë kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar. (Në fotografi: Ndërtesa ku u mblodh Kongresi i Manastirit, 1908.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 394–396.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Manastirit

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img