Në Firence të Italisë u nda nga jeta Elena Gjika (Dora d’Istria), shkrimtare dhe publiciste rumune me origjinë shqiptare. Lindi në Bukuresht të Rumanisë, në vitin 1829. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës, si luftëtare e mendimit të lirë dhe si kundërshtare e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Thimi Mitko etj., dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh: “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli Albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj., nëpërmjet këngëve popullore historike ajo vuri në dukje luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman, duke pohuar në të njëjtën kohë vlerat e traditave folklorike si shprehje e shpirtit dhe e identitetit kombëtar të popujve. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull “A Dora D’Istria – Gli Albanesi”, 1870 (“Dora d’Istrias – Shqiptarët”), një përmbledhje vjershash patriotike. (Në fotografi: Dora d’Istria nga Petre Mateescu, 1876.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 834.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Dora_d%27Istria
Përpunim grafik: AHCF




