U nënshkrua “Marrëveshja e Podgoricës”, marrëveshja zyrtare e nënshkruar midis shqiptarëve dhe përfaqësuesve të qeverisë osmane në përfundim të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës (1911). Kryengritësit malësorë, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, i rezistuan katër muaj ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut pashës dhe kërkuan prej qeverisë turke të zbatonte programin e autonomisë së Shqipërisë, të parashtruar në Memorandumin e Greçës. Përpjekjet e administratës osmane për t’i nënshtruar ata përmes lëshimeve të pjesshme e amnistive të njëpasnjëshme, nuk patën sukses. Megjithatë, të vënë në një gjendje tejet të rëndë dhe nën trysninë e qeverisë së Malit të Zi, kryengritësit e Veriut pranuan më në fund të bisedonin me autoritetet xhonturke, por mbi bazën e kërkesave te tyre dhe duke ngulur këmbë që të drejtat të cilat do t’u jepeshin malësorëve, t’u njiheshin të gjitha viseve shqiptare. Megjithëse lëvizja e armatosur kundërosmane u shtri edhe në jug të Shqipërisë, nuk u arrit që kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme dhe t’i detyronte xhonturqit të pranonin jo vetëm zgjidhjen e çështjes së malësorëve të Veriut, por të çështjes shqiptare në përgjithësi. Duke përfituar nga këto dobësi të lëvizjes shqiptare, autoritetet osmane arritën të merren vesh veç me malësorët e veç me shqiptarët e Jugut. Kundërpropozimet xhonturke të shpallura më 30 korrik 1911 në Podgoricë, ishin larg autonomisë së parashtruar nga kryengritësit shqiptarë, dhe shtriheshin vetëm në zonën e kryengritjes së Malësisë të Mbishkodrës. Qeveria xhonturke shpalli amnistinë e plotë për të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes. Shërbimi ushtarak do të kryhej brenda vilajetit të Shkodrës dhe vetëm një vit në Stamboll. Taksa mbi bagëtinë do të caktohej duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë. Përgjithësisht, taksat do të mblidheshin, kur shqiptarët të ishin në gjendje të paguanin. Armët mund të mbaheshin vetëm me leje të posaçme. Do të ndërtoheshin në malësi, me mjetet shtetërore, dy shkolla fillore, ku do të mësohej gjuha shqipe, si dhe rrugë, ura e objekte të tjera. Mbi bazën e këtyre propozimeve të qeverisë turke, më 2 gusht 1911, në përfaqësinë e Perandorisë Osmane në Podgoricë u nënshkrua marrëveshja midis malësorëve dhe përfaqësuesve të qeverisë së Stambollit. Marrëveshja e Podgoricës shënoi një hap përpara në përpjekjet e shqiptarëve për sigurimin e të drejtave të tyre kombëtare. Ndërkaq, ajo qe vetëm një armëpushim, i cili mori fund me fillimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. (Në fotografi: Ded Gjo Luli me shokët e vet kryengritës)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1643–1644.
Fotografia: © https://albemigrant2011.wordpress.com/malsia-e-mbishkodres-kryengritje/
Përpunim grafik: AHCF




