U vra në Shkodër publicisti, patrioti, Mësuesi i Popullit, Sali Nivica, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe drejtor i gazetës “Populli”. Lindi në Rexhin të Kurveleshit. Kreu gjimnazin “Zosimea” të Janinës (1909). Më 1909–1910 ishte mësues në Durrës. Mori pjesë në organizimin e kryengritjeve kundërosmane në Shqipërinë e Jugut, më 1911–1912. U burgos nga autoritetet osmane. Pas daljes nga burgu, dha mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e mesme amerikane Roberts College të Stambollit. U kthye në Shqipëri me Shpalljen e Pavarësisë dhe më 1914–1915, në gazetën “Populli”, ku shkroi një varg artikujsh me frymë patriotike, demokratike e antifeudale. Më 1916–1918 punoi në fushën e arsimit. Më 1919–1920 drejtoi gazetën “Populli”, në të cilën mbrojti pavarësinë e tërësinë territoriale të shtetit shqiptar dhe çështjen e bashkimit kombëtar. Shkroi me pseudonime të ndryshme, si: Godo Duda, Dedë Gjoni, Sino Balashi etj. (Në fotografi: Sali Nivica)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1848.
Fotografia: © https://it.wikipedia.org/wiki/Sali_Nivica
Përpunim grafik: AHCF




