U nda nga jeta Hasan Ceka, një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, specialist për periudhën e antikitetit dhe në fushën e numizmatikës, profesor. Lindi në Elbasan, në vitin 1900. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Vjenës për arkeologji (1930). Po atë vit u kthye në atdhe, ku punoi për krijimin e një koleksioni arkeologjik dhe përfaqësoi shtetin shqiptar pranë misioneve të huaja në Butrint e në Apoloni. Nga 1947 e derisa doli në pension (1974) zhvilloi veprimtari të gjerë kërkimore e studimore. Apolonia ishte qyteti ku gërmoi e studioi për 40 vjet. Autor i dhjetëra artikujve me tematikë të gjerë historiko-arkeologjike, botuar edhe jashtë vendit. Si njohës i greqishtes së vjetër dhe latinishtes dha ndihmesë themelore në përgatitjen për botimi të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Kujdes të veçantë tregoi për krijimin e kabinetit numizmatik, i cili shërbeu për kurorëzimin e punës së tij studimore me botimin e veprës “Probleme të numizmatikës ilire” (1965) dhe “Në kërkim të historisë ilire” (1998). (Në fotografi: Hasan Ceka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 357–358.
Fotografia: © https://tvklan.al/ndahet-nga-jeta-profesor-hasan-ceka-02-nentor-1998/
Përpunim grafik: AHCF




