Doli numri i parë i gazetës “Rilindja”. Së bashku me “Rilindjen” del edhe “Jedinstvo” në gjuhën serbokroate; që të dyja, si organe të Frontit Nacionalçlirimtar. “Rilindja” doli vetëm në katër faqe, e gdhendur manualisht me shkronja plumbi. Autorët e artikujve të numrit të parë, i cili u punua për 72 orë në mungesë të madhe të shkronjave në gjuhën shqipe, ishin edhe bashkëpunëtorët e fletores “Lirija-Slloboda” – fletore ilegale partizane e shtabit operativ për “Kosmet”. Kryeartikullin e këtij numri e shkroi Fadil Hoxha, komandant i shtabit operativ të “Kosmetit”. Numri i parë u shtyp në rrugën “Juro Jakšić” numër 17, në Prizren, dhe doli një herë në javë deri në vitin 1948. Më 23 janar 1946, “Rilindja” nisi ndërmarrjen e aksioneve kundër analfabetizmit, hapjen e kurseve dhe përhapjen e fushatave kundër mosshkollimit të gruas. (Në fotografi: Numri i parë i gazetës “Rilindja”.)
Teksti: https://arkivirilindja.com/autoret/74#biografia
Fotografia: © https://arkivirilindja.com/autoret/74#biografia
Përpunim grafik: AHCF




