Në Çikago, në një familje shqiptare nga Devolli, lindi Xhon Belushi (John, 1949–1982), aktor i varietesë, i skenës dhe i ekranit të madh e të vogël, muzikant. Më 1973, shkoi në Nju-Jork, ku filloi karrierën e komikut, fillimisht në lokale të natës. Suksesi i tij e shpuri në programet artistike televizive (Saturday Night Live). Xhon Belushi luante paralelisht në film, në TV dhe këndonte në ansamblin “Blus Brothers” (“Vëllezërit Bluz”), që pati popullaritet të madh. Nga viti 1979, iu kushtua më shumë filmit. Megjithëse pati një jetë të shkurtër, interpretoi në 6 filma: “Kalim në Jug” (regjisor Jack Nicolson, 1977), “Shtëpia e kafshës” (regjisor John Landis, 1978), “1941” (regjisor Steven Spielberg, 1979), “Vëllezërit Bluz” (regjisor John Landis, 1980) dhe “Fqinjët” (regjisor John G. Avildsen, 1981), që patën popullaritet të madh në Amerikë dhe në Evropë. (Në fotografi: Gjon Belushi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 207.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/John_Belushi
Përpunim grafik: AHCF




