Në Katanxaro të Italisë doli gazeta e përdyjavshme politike, letrare dhe kulturore “La nacione Albanese” (“Kombi shqiptar”) me 12–16 faqe. E drejtonte arbëreshi Anselmo Lorekio. Gazeta përmban lëndë të pasur për historinë e Shqipërisë, memorandume e protesta të shqiptarëve parashtruar Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, korrespondenca nga Shqipëria, njoftime për ngjarjet e kohës. Botoi përkthimin italisht të veprës së Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprës së Skënderbeut”, të veprës së Sami Frashërit “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Bashkëpunuan edhe Jeronim de Rada, Zef Serembe, Visarion Dodani. etj. (Në fotografi: Pamje nga faqja e gazetës “La nacione Albanese”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1441–1442.
Fotografia: © https://www.wikidata.org/
Përpunim grafik: AHCF




