Nga Kuvendi i Vlorës u zgjodh qeveria shqiptare pas pavarësisë. Kuvendi i Vlorës i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Pas vendimit historik të Shpalljes së Pavarësisë, në ditët e para të dhjetorit kuvendi mori vendimet më të ngutshme, që kishin të bënin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen e tij ndërkombëtare. Si kryetar të qeverisë kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin dhe nënkryetar dom Nikollë Kaçorrin. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj Gurakuqi – ministër i Arsimit, Myfit Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet pashë Tetova – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga – ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – minister i Bujqësisë dhe Lef Nosi – ministër i Postë-Telegrafeve. Ismail Qemali mbajti edhe portofolin e ministrit për Punët e Jashtme. Ismail Qemali ua njoftoi që më 28–29 nëntor Shpalljen e Pavarësisë Fuqive të Mëdha, shteteve ndërluftuese ballkanike dhe qeverisë së Rumanisë, duke kërkuar njohjen e këtij ndryshimi në jetën politike të vendit. Ai kërkoi njëkohësisht edhe largimin e ushtrive të Aleancës Ballkanike nga trojet shqiptare të pushtuara prej tyre. Në telegramin drejtuar qeverive të Aleancës Ballkanike qeveria shqiptare vinte në dukje se shqiptarët nuk kishin tjetër qëllim veçse të jetonin në paqe me të gjitha vendet fqinje. (Në fotografi: Ismail Qemali, Kryetari i qeverisë, 1912.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 17–18.
Fotografia: © Xhoxhi L., Rrugëtimi historik i Ismail Qemalit, “Print-Al”, Tiranë, 2021, faqe 22.
Përpunim grafik: AHCF




