Në Gri të Tropojës lindi Tahir Sinani, dëshmor i kombit, luftëtar i tri luftërave çlirimtare. Shkollën e mesme e kreu në Tropojë. Kreu shkollën ushtarake dhe më 1986 u emërua instruktor i stërvitjes në divizionin ushtarak të Bajram Currit. Më vonë u emërua shef i sektorit për ndërhyrje të shpejta. Me fillimin e luftës në Kosovë, u emërua oficer në kampin e stërvitjes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tropojë. Në nëntor të vitit 1998 kaloi në Pashtrik dhe u emërua anëtar i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas komandoi njësinë speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Iu besua detyra e instruktorit të stërvitjes. Pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe, iu ngarkua detyra për mbrojtjen e Zonës Operative të Pashtrikut. Më 12 qershor 1999, me ushtarët e tij hyri fitues në Prizren. Pas transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), u emërua komandant i Qendrës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Nashec. Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit luftoi në Konçul, Dobrosin, Bujanoc. Pas çmobilizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe u emërua komandant i Brigadës 116, me qendër në Tanushë të Gostivarit. U vra në vitin 2001. Më 2002 trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. (Në fotografi: Tahir Sinani)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1499.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Tahir_Sinani
Përpunim grafik: AHCF




