Krijimi i “Krahinës autonome të Korçës”.

Lexo ngjarje:

U krijua “Krahina autonome e Korçës” (1916–1918), administratë krahinore autonome që realizoi Lëvizja Kombëtare në Korçë në kushtet e pranisë së trupave ushtarake franceze. Komanda e Armatës së Lindjes, nën trysninë e luftës së rretheve patriotike në Korçë, që udhëhiqeshin nga Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka, e interesuar të kishte një prapavijë të qetë në frontin e luftës me pushtuesit austro-hungarezë e bullgarë, pranoi një varg kërkesash të përfaqësuesve të krahinës. Pasi dëboi prej andej pushtuesit e mëparshëm grekë, Komanda e Armatës së Lindjes, e përfaqësuar nga komandanti i trupave franceze për Korçën, koloneli Hanri Dekoen, më 10 dhjetor 1916 nënshkroi me këta përfaqësues një Protokoll, sipas të cilit qyteti i Korçës, me rrethet Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar do të administroheshin në mënyrë autonome, duke u drejtuar nga një Këshill Qeveritar i përbërë nga 14 veta, të gjithë vendës, në numër të barabartë, sa myslimanë aq edhe të krishterë. Gjuha zyrtare do të ishte shqipja, flamuri i krahinës do të ishte shqiptar, shkollat në gjuhën greke do të mbylleshin dhe do të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe etj. Krahina autonome e Korçës vepronte nën mbrojtjen e autoriteteve franceze që ndodheshin në krahinë. Ngritja e saj nuk u prit mirë nga qeveria e Romës dhe u kundërshtua veçanërisht nga ajo e Athinës. Në shkurt 1918, me porosi të qeverisë franceze, Protokolli i 10 dhjetorit 1916 u shfuqizua në mënyrë të njëanshme dhe krahina e Korçës u vu nën administrimin e drejtpërdrejte të ushtrisë franceze. Megjithatë flamuri shqiptar vazhdoi të ngrihej, shkollat në gjuhën shqipe mbetën të hapura dhe gjuha e vendit vijoi të përdorej në administratën civile të krahinës. Krijimi i krahinës autonome të Korçës dhe largimi prej andej i pushtuesve grekë ishin fitore të rëndësishme që luajtën rol të madh në dështimin e përpjekjeve të Athinës për ta ripushtuar krahinën më 1919 e 1920 dhe ndihmuan kështu për ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar në mbarim të Luftës I Botërore. (Në fotografi: Ndërtesa qeveritare e Republikës së Korçës, 1916.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1329–1330.

Fotografia: © https://albemigrant2011.files.wordpress.com/2008/11/republika-autonome1.jpg

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img