Në fshatin Dhuvjan të Gjirokastrës lindi Koço Bozhori, historian, bizantolog, bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Arsimin e mesëm e kreu në Janinë. Koço Bozhori mori pjesë në lëvizjen antifashiste në Greqi dhe pasi u kthye në Shqipëri në vitin 1943 u angazhua në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kreu studimet e larta për histori në Universitetin e Tiranës. Si punonjës shkencor në Institutin e Historisë iu përkushtua problemeve të historisë së Shqipërisë të periudhës së Mesjetës, për të cilat shkroi një varg artikujsh studimorë. Kontribuoi sidomos me botimin e dokumenteve bizantine për historinë e popullit shqiptar në periudhën e Mesjetës së Hershme. Botoi vëllimin “Lufta shqiptaro-turke në shek. XV, burime bizantine” (Tiranë, 1967). U nda nga jeta në vitin 1999. (Në fotografi: Botimi i Bozhorit, viti 1967.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 287.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=176513474212520&set=pcb.176513640879170
Përpunim grafik: AHCF




