Hysni Kapo (1915-1979), një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i shtetit shqiptar pas çlirimit, lindi në Tërbaç të Vlorës, Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai veproi si udhëheqës politik dhe ushtarak për organizimin e partisë dhe luftës së armatosur, fillimisht në rajonin e Vlorës dhe më pas në shkallë kombëtare. Sekretar politik i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste për Vlorën (1941–1943). Në Konferencën II Nacionalçlirimtare (shtator 1943), u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar; në Kongresin e Përmetit (maj 1944), ishte anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe kryesisë së tij. Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (1944), komisar politik i Korpusit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (1944). Pas Çlirimit, ai u ngarkua me funksione të larta në sektorë të rëndësishëm të shtetit, ekonomisë, ushtrisë dhe diplomacisë; në vitet 1950-1956, ishte Ministër i Bujqësisë dhe Nënkryetar i Këshillit të Ministrave. Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë që nga viti 1944, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë (1956–1979). Anëtar i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Vdiq në Paris, pas një sëmundjeje të rëndë. (Në foto: Hysni Kapo)
Teksti: Fjalori Enciklopedik Shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1117.
Foto: © https://en.wikipedia.org/wiki/Hysni_Kapo
Përpunim grafik: AHCF




