U nda nga jeta Gjergj Canco, drejtues e organizator i arsimit profesional, Mësues i Popullit, Hero i Punës Socialiste. Lindi në Boboshticë të Korçës, në vitin 1906. Në vendlindje kreu Liceun Kombëtar (francez). Studimet e larta i vijoi në Francë në Universitetin e Monpeljesë (1927–1930) dhe në Shkollën e Punëve Publike (Ecole des Travaux Publics, 1930–1932). Punoi mësues i matematikës në gjimnazin e Tiranës (1932), në Shkollën Teknike të Tiranës (1933) dhe në gjimnazin e Shkodrës (1936–1945). Për rreth një çerek shekulli (1945–1967), qe mësues e drejtor në ish-politeknikumin “7 Nëntori” të Tiranës, duke e shndërruar atë në një shkollë profesionale model dhe qendër trajnimi për mësuesit e specialistët. Ndihmoi në ngritjen e një rrjeti shkollash profesionale në të gjithë vendin, si Teknikumi i Ndërtimit në Tiranë, Teknikumi i Minierave dhe Gjeologjisë në Përrenjas, Teknikumi i Mekanikës Bujqësore në Durrës, Shkolla Industriale në Shkodër, Shkolla Bujqësore në Korçë etj. (Në fotografi: Gjergj Canco)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 355–356.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




